sabato 20 febbraio 2016

Pilivesat


Kurrë nuk më kanë pëlqyer pilivesat. Në pamje dukeshin të holla dhe elegante, me ato krahët transparente si vello nusesh, por që sa i kapje, të ngeleshin në dorë. Pastaj ishin edhe shumë budallaqe. Mbaj mend se kur i këndonim “Pilivesë, pilivesë, as ma fal një kokërr vezë”, ato ishin të gatshme përtej budallallëkut të lëshonin vezët e tyre me një bujari të tepruar (!)
Thoni po deshët se... kujtimet e fëmijërisë nuk kanë ndikim në subkoshiencën tonë dhe shkëndija më e vogël nuk i ndez ato !
Në përgjithësi jam njeri racional. Sa më shumë vitet kalojnë, aq më shumë bëhem racionale. Dhe të kujtosh sa emotive kam qenë dikur!
Përpiqem të bëj ato gjëra që duhet të bëjë një grua që punon e që ka fëmijë, burrë dhe shtëpi për të mbajtur. Shkoj në punë dhe rrallë ndaloj pas punës për ndonjë kafe me shoqet. Sepse më duhet të vrapoj në shtëpi për drekën, pastrimin, hekurosjen, pazaret, darkën, rrobat për të nesërmen. Jam me fat nëse vajza fle në darkë para meje që unë të mund të shoh në finale të ditës ndonjë film për qejf me tim shoq, pasi edhe ai ka punuar nga mjesi në darkë, apo të lexoj ndonjë libër, pasi leximi mbetet pasion i imi. (Meqë ra fjala po lexoj “Pema e jeniçerëve” dhe kam mbërritur aty nga gjysma e tij). Meqë dola tek librat, mu kujtua historia që më tregoi një shoku im, histori e vërtetë, për një nga këto njerëzit e pasur, që kishte thirrur një marangoz dhe i kishte kërkuar që për shtëpinë e re t’i bënte edhe një bibliotekë dhe tia mbushte me libra. Ustai i shkretë, meqënëse dinte të bënte veç dollapë, ishte ndjerë i pafuqishëm për të përmbushur këtë detyrë të vështirë dhe i kishte punuar mendja, aq sa për ta pyetur me ndrojë se çfare lloj librash donte pasi do të shkonte në ndonjë librari t’ia merrte sipas kërkesës. Dhe përgjigjia ishte : të kenë kopertina me ngjyra të bukura…… Hihihihihihihihi, sa kam qeshur kur ma treguan. Por më treguan edhe këtë tjetrën se në Tiranë paska njerëz që fitojnë bukën e gojës, duke përzgjedhur libra e duke mbushur bibliotekat e reja të shtëpive luksoze (!)
Në shtëpinë time modeste në fakt kemi një librari që sigurisht nuk na e mbush ustai, por e mbushim dhe i lexojmë vetë, ndonëse shpesh herë e gjej veten në dilemë mes çmimit të librave dhe gjerave utilitare që më duhet të blej. Shitësja e librarisë para një muaji më pa si me dyshim kur mori vesh se po u blija libra si dhuratë për vitin e ri mamit dhe prindërve të tim shoqi. (Vërtet është e pagëlltitshme ?!)
Të themi të vërtetën, sot është shumë e vështirë që të bësh miq të vërtetë, apo të pakën të gjesh njerëz me të cilët ndan shumë gjëra të përbashkëta, mes të tjerave shijen për jetën apo librat.
Kjo është arsyeja që nuk e diskutova dy herë ftesën që më bëri një mikja ime, që natën e vitit të ri, të shkonim tek ajo për të festuar, pirë e folur së bashku. I njihja pak a shumë disa prej tyre, por edhe ato që njoha aty, ishin njerëz mjaft komodë, ndaj frika e fillimit se mos biseda do shteronte gjatë mbrëmjes ishte krejt e kotë. Në darka të të tilla dihet se televizori është një element i tepërt (ehu, kur ke verë të mirë për të shijuar e biseda të këndshme për të bërë, ç’e do televizorin, por gjithsesi le të rrijë ndezur sa për sfond!)
Por pikërisht ky televizor, më saktë një nga kanalet e tij, u bë shkak që unë të sillja në kujtesë pilivesat.
“E dini sa paguhet kjo Pilivesa që përdridhet, e që as për tu përdredhur nuk di??? …..2000 euro në muaj….Mua më del truri nga vendi mes shifrash e nuk marr aq”, thotë njëra nga miket e mikes sime, e cila në fakt punon në sektorin bankar e që sipas gjykimit tim edhe aq sa merr ajo janë shumë mirë, në raport me shumë shumë shumë shumë më pakshin tim (!) Po Filanja që punon po në atë televizion e dini sa merr?????.... 3000 euro. Po ajo tjetra, hë pra ajo që doli në gazeta se ishte e lidhur me atë, pastaj më këtë, e pastaj me atë…..që ka bërë gjoksin, buzët, vithet…..Po çfarë bën ajo? Këngëtare? Jooooo!!!Gazetare????....Joooooooo. Çfarë bën pra? Ja del në gazeta……E sa e kishte rrogën? 4000 euro…………Jo, o zot!
Po ajo që është drejtoreshë e këtij dikaster, po ajo tjetra, sa ka ecur ajo tjetra!!!!!!Pse çfarë i punon i dashuri asaj? Po burri? Pse ajo paska edhe të dashur edhe burrë?! Po më çudit….Për kë ka votuar ajo???
E kështu ne nisim rrëfime Pilivesash, por edhe që marrin rroga të majme e bëjnë jetë vitrinash, megjithëse zor se kanë lexuar një libër më shumë në jetë vec librave të shkollës, madje edhe shkollën zor se e kanë bërë aq seriozisht sa e kam bërë unë (të paktën).
Kujtoj rrogën time shume shumë shumë shumë më pakëshe dhe trishtohem për dhjetat e mia të shkreta dhe dinjitetin e vërtetë që rrjedh prej tyre. Për diplomën që dikur me krenonte, por që sot e kanë të gjithë, të ditur dhe injorantë bashkë, për orët zgjuar natën pranë abazhurit për të dhënë një provim, për librat e nisur e mbaruar me një frymë, bisedat për librat e pikturat që bënim me tim atë rreth tavolinës së drekës apo dorëshkrimet që qarkullonim dorë më dorë….Por edhe për librat që vazhdoj tia lexoj sot vetes si dhe sime bije.
Jetojmë në kohë Pilivesash, jo më kot nuk i paskam pëlqyer që në fëmijëri. Sa për xixëllonjat. Nuk them Jo.


     



Nessun commento:

Posta un commento