Një blog si një revistë, ku do të gjeni këndvështrimet dhe jetët tona, në të përditshmen e tyre.
lunedì 25 febbraio 2013
Faleminderit Telebingo
Mirë, iku e diela, një e dielë dembele, kafe jashtë Tiranës, drekë e mirë, pak verë, ndonjë ëmbëlsirë dhe më në fund në shtëpi me telekomandën në dorë….
Si kurrë më parë, kisha blerë një biletë të Telebingos Kombëtare që organizohet në “E diela shqiptare” të Ardit Gjebresë, unë pa ndonjë iluzion se mund tia shihja shpërblimin kësaj pune, por më shumë për qejfin e mamit që n...uk e di pse, beson se edhe mund të na bjerë (!)
Ja vjen ora, filxhani i kafes në dorë, pak strudel për ta shoqëruar në tavolinë, rehatuar mes jastëkëve të divanit, fillon TELEBINGO Shqiptare….
Besoj apo nuk besoj tek fati, përderisa kam hyrë në vallë, pra kam blerë një biletë Telebingoje, duhet ta shikoj deri në fund dhe të pres deri në fund, ku i dihet…Gjebrea nis e bën telefonata, jep çmime, dhuron lekë, udhëtime turistike, mobilje apo bizhu të ndryshme, dhe njerëzit që fitojnë këto çmime nga zëri përmes telefonit, ndihen si në ekstazë.
Në një moment, kur të gjithë prisnim të na binte telefoni ( e pse të mos bjerë edhe telefoni ynë, gjithçka ka të bëjë me propabilitetin, punë e madhe se propabiliteti është 1 me 20 mijë, edhe mund të bjerë), në transmetim dalin disa filmime me fituesit e një jave përpara, të cilëve u është vënë një kamera dhe aty duhet të shprehin të gjithë falenderimet e tyre, adhurimin, përuljen ndaj Telebingos, dhe janë burra, gra, të moshuar, madje ka edhe fëmijë që falenderojnë Telebingon dhe Gjebresë si të ishte Mesia shqiptare. Me zarfa në duar ku shfaqen dukshëm paratë, shprehin falenderime pa fund: “Faleminderit Teleningo”, “Ta paça borxh Telebingo”,”Blini Telebingo”, “Fatin na e solli Telebingo”, “Jam Filan Fisteku dhe kam fituar 100 mijë lek të vjetra”, ose “Jam Çimi nga Libofsha dhe kam fituar 100 mijë lekë të vjetra. Blini edhe ju Telebingo, se në mos sot nesër do ju bjerë edhe juve”, ose “unë jam Sara, jam 6 vjec dhe dua të falenderoj shumë xhaxhi Arditin se neve na ra Telebingoja, një fshesë me korrent dhe një tapet Anoria”.
Pamjet më shokojnë dhe më lënë pa fjalë. Për herë të parë atë pasdite nuk dua të më bjerë telefoni, se më tmerron fakti që pas një jave mund të jem edhe unë në turmë duke tundur zarfin para kameras dhe duke i treguar gjithë dynjasë, duke falenderuar Telebingon shqiptare, se mua më ra Telebingoja shqiptare.
Kjo punë do shkoqitur. Një biletë Telebingoje është një mall që unë e blej kundrejt pagesës dhe nëse kam fat dhe numrat e mi shpallen fitues, çfare sensi ka që të dal para kamerave e ti tregoj gjithë botës se kam fituar 100 mijë lekë të reja, ose edhe më shumë??? Është njëlloj si të vësh një skedinë dhe pasi ti kap skedinën, kur tërheq lekët të falenderosh pa fund shitësin e Llotos. Po, edhe sikur për shumë e më shumë lekë të ishte fjala, unë dua të ruaj anonimatin dhe kjo nuk është mëkat, është e drejta ime, sikundër nuk ijam borxhlie askujt për diçka që e marr kundrejt parave që kam paguar. Po sikur unë të kem blerë 1000 bileta Telebingo me nga 1 mijë lekë copa dhe të kem fituar 100 mijë lekë, prap duhet të falenderoj para kamerave Ardit Gjebrenë dhe Telebingon shqiptare…
Varfëria dhe skamja e njerëzve nuk mendoj se duhen përdorur si reklamë jetësore për të provuar se kjo lojë fati funksionon.
Po mirë që s’ra telefoni dhe më shpëtoi nga kjo histori, tek e cila nuk dua të hyj më, gjithmonë flas për veten time, se mami im e di se nuk do heqë dorë.
Iscriviti a:
Commenti sul post (Atom)
Nessun commento:
Posta un commento