ART & KULT

                                           
 Ku e kam parë këtë “kovën” dhe ku e kam parë këtë “dorën”?
“Ku e kam parë këtë kovën? Ku e kam parë, ku e kam parë? Ah po, ia kam pa Yllit të Manushaqes!”
Këtë batutë solla sot ndër mend duke nënqeshur me vete, ndërsa e trishtuar shihja pjesën e Teatrit të Kukullave, pasi shoqëroja time bije si spektatore në shfaqjen e së shtunës.
“Nuk pata fare frikë”, më tha ajo kur mbaroi, megjithëse gjithë kohës ma kishte mbajtur dorën të shtrënguar dhe unë ndieja se si ajo dorë e vogël djersinte nga frika.
Ishte një “muzikal” në fakt. Dhe tema sillej tek mënyra se si krijohen këngët, domethënë duhet bashkëpunimi i notave, çelësit të solit dhe kompozitorit që të bëhet muzikë. Kjo ishte me pak fjalë fabula e pjesës, ndërsa personazhet ishin një dorë gjigande e bardhë, e prerë tek nyja, që medemek i bie të jetë dora e kompozitorit, ca llastiqe të lëvizshëm, që i mbanin të fiskuara nga të dyja anët e skenës dhe që i binte të ishte pentagrami, disa aktore të veshura me të zeza që mbanin në dorë nga një top, gjithsej shtatë të tilla, domethënë notat muzikore dhe së fundmi një aktore tjetër që mbante të varur përgjatë gjithë trupit çelësin e solit.
Notat këndonin e kërcenin njëra me tjetrën, herë në harmoni dhe herë të çakorduara, ndërsa dora masive e vendosur mbi një karrocë me kuzhineta hynte dhe dilte në skenën e errësuar, sipas batutave që kishte për të thënë.
Ndërkaq dora e vajzës sime shtrengonte edhe më shumë dorën time. Meqë nuk po dëgjoja asnjë batutë ose diçka të këndshme që ta mbaja mend, po pyesja veten se ku e kisha parë këtë Dorën? E kisha parë diku, nuk ishte gjetje e re, por se ku e kisha parë? Ndërsa mendohesha pa dashje më vinin në mendje shfaqje të tilla si “Aventurat e Fatbardh Pikaloshit”, “Cufo dhe Tipi”, “Ditëlindja e Pinokut”, e sa të tjera. “O Cufo, ku e ke mësuar notin ti? Në govatë!”, “Jam llustraxhi, jam llustraxhiiiii/dhe hallin tim askush s'ma diiiii/por do t'vij' dit' e fukaraaaaaasë/që kokën lart dhe un' ta mbaaaaaj”, ose “O lejleku sqepkallam/nesër mbrëma je i ftuar/se Bardhoshja ka ditëlindjen/
hë pra fol, a je i gëzuar?”….Mund të kujtoj edhe shumë të tjera, por ah, filli këtu ndërpritet sepse kujtova burimin nga vinte Dora. E mbani mend Dorën tek “Familja Adams”???? Pikërisht një dorë e tillë ishte protagoniste në shfaqjen e fundjavës në Teatrin e Kukullave të Tiranës.
Mbase faji ishte i imi, se shfaqja mund të ishte konceptuar për një moshë më të madhe se ime bijë, por të them të drejtën nuk pashë ndonjë kënaqësi të madhe, as tek fëmijët më të rritur që ndodheshin në atë sallë.
Ok, teatër konceptual, më saktë Teatër Kukullash Konceptual. Por ku kanë shkuar kafshët që pëlqejnë aq shumë fëmijët: qeni, macja, keci dhe dhia?
Në fakt të bësh vërejtje është më e lehtë se sa të bësh art dhe unë realisht nuk di të bëj art. Ndryshe do isha bërë regjisore apo aktore. Unë jam bërë gazetare. Dhe kjo është puna ime. Ta them hapur kur shoh se diçka nuk shkon. 


Filmi qe duhet pare: The Best Offer

Ma merr mendja qё shumica juaj nё mos tё gjithё ju qё po lexoni keni parё nё kinema, apo thjesht dёgjuar pёr filmat e fundit nё kinema: "Anna Karenina", "Django" e sё fundmi pёr "Les Miserables". Tё gjithё filma tё bukur pa pikё dyshimi, por asnjёri histori origjinale.


"Anna Karenina" mё pёlqeu padyshim. Punё shumё e mirё e regjizorit; origjinale fryma e teatrit ku tё shpien zakonisht shkrimtarёt rus dhe vitet 1800 nё pёrgjithsi. Ja vlen por finalen e dimё tё gjithё.

"Django" pёrsёri njё rishikim i Django-s tё Sergio Corbucci-t i vitit 1966, ku pёrsёri shohim dashurinё e Tarantino-s pёr kinematografinё italiane. (Pёrveç rishikimit tё filmit DJANGO tё regjizorit italian, muzika e Enio Morricone-s, kёndon ELISA e njё shfaqje "kometё" e FRANCO Nero-s (qё interpretonte DJANGO-n nё versionin e Corbucci-t, dhe sipas deklaratave tё vetё Tarantinos, qenka njё nga idhujt e tij.)

"Les Miserables" mё shkreu nё vàj. Edhe kёtu ngjarjen e njohim tё gjithё. Nё formёn e kёnduar ёshtё edhe pak mё i vёshtirё tё ndiqet, por gjёrat tё shijojnё mё shumё pas mundit. Shpresova deri nё fund qё Fantina tё mos vdiste, por pёrpikmёrisht u zhgёnjeva.

Tashmё moda ёshtё vintage e kёshtu qё rishikimet e filmave apo veprave madhore nuk duhet tё na çudisin edhe fort. (Nё fakt edhe im atё do tё kishte thёnё qё i shёrbejnё tё rinjve, e shtoj unё qё gjithnjё e mё pak lexojnё klasikёt  megjithёse postojnё thёnie tё famshme tё kёtyre veprave nёpёr social netёork-ё - tё njohin sadopak historinё e tё nxisin ndoshta ndёr disa stimulin tё lexojnё Tolstoj-in, Hygo-nё apo tё "googel-ojnё" kush ёshtё Sergio Corbucci.

SKEDA

                                                Titulli origjinal: The Best Offer
 
Tema: Virgil Oldman (çmimi Oscar Geoffrey Rush) ёshtё njё gjeni egocentrik,    ekspert arti, i njohur dhe i respekuar nё tё gjithё botёn. Jeta e tij rrjedh larg ndjenjave deri kur njё grua misterioze (Sylvia Hoeks) e fton nё vilёn e saj pёr tё vlerёsuar objeket qё ndodhen nё tё. Do tё jetё fillimi i njё raporti qё do tё trondisё pёrgjithmonё jetёn e tij.

Regjia: Giuseppe Tornatore

Prodhim: Itali 2012

Aktrojnё: Geoffrey Rush, Jim Sturgess, Sylvia Hoeks, Donald Sutherland, Philip Jackson.

Filmi pёr tё cilin do tё flas unё ёshtё “The best offer” i Giuseppe Tornatore. I njёjti regjizor i filmit fitues i çmimit Oscar nё 1988 me filmin "Nuovo cinema Paradiso", regjizor i "L'Uomo delle stelle", "Malena" e sёfundmi "Baaria" duke dashur tё kujtojmё vetёm disa.

Nё kёtё film tё fundit vjen me njё film absolutisht tё ri. Njё dramё personale, tencionuese e regji e mrekullueshme. Historia e njё ankandisti veprash arti nё moshё tё thyer dhe takimit me njё vajze shumё tё veçantё qё do tё shndёrrojё pёrgjithmonё jetёn e tij.




Duke mos dashur tё zbuloj asgjё nga zhvillimi i filmit apo finalen e tij, po ndalem pak tek regjia e mrekullueshme.

Tornatore pёr herё tё parё do tё tregojё qё ёshtё njё regjizor ndrёkombёtar e jo provincial. I largohet pёr herё tё parё temave siçiliane dhe bёhet internazional. Jo me kot edhe cast-i  ёshtё i tillё dhe filmi ёshtё xhiruar krejtёsisht nё anglisht, ngjarja zhvillohet nё njё shtet jo mirё tё pёrcaktuar tё Evropёs perёndimore. Skenari i shkruar prej vetё regjizorit ёshtё i ndёrthurur nё mёnyrё gjeniale e me njё regji tepёr tё pёrpiktё. Ambientet ( i xhiruar nga 16 prilli nё 11 korrik 2012 midis Bolzano-s, Triestre-s, Romё-s, Milano-s, Vienё-s e Pragё-s) janё tё magjepsura, çdo imtёsi e detaj tё pёrfshijnё nё kёtё atmosferё. Çdo gjё ёshtё e menduar  dhe e ndёrtuar me mjeshtёri gjeniale, me njё dorё tё padukshme qё harmonizon gjithça. Fotografia, skenografia dhe aktori kryesor Geoffrey Rush i pёrkasin Kinematografisё sё shkruar me gёrma tё medha, gjё tё cilёn synonte edhe Tornatore me kёtё film. Mund tё them qё ia ka arritur mrekullisht qёllimit.

Nuk ma merr mendja qё filmi mund tё shfaqet nё kinematё e Tiranёs, ku mbizotron sovran Hollywood-i, por bёni tё mundurёn ta gjeni e ta shihni kёtё film qё ndoshta nuk do tё ndyshojё jetёn tuaj por sigurisht do t’ju emocionojё.

F.


  Look-u i Kanitës 
Kanita me look-un e mbremshem
Kanita është një vajzë e vogël e talentuar që unë e njoha mbrëmë përmes “X Factor” që transmetohet ne Tv Klan. Por meqë nuk kam pasur kohë fizike ta ndjek si spektakël,  më në fund mbrëmë i kushtova pak kohë, duke ia “vjedhur” punëve të tjera…(!)
Për konsideratën ndaj spektaklit, do të flas një herë tjetër, pasi ta kem parë me më shumë vemendje  dhe me disa puntata të plota (megjithëse e krijova një opinion paraprak).
Por ajo çfarë më bëri përshtypje ishte paraqitja skenike e Kanitës, një vajze të vogël 12 vjeç, që vinte nga Maqedonia, me një vokal tepër të mirë, me talent premtues. Këndoi “Russian roulette" dhe për t’iu përshtatur natyrës së këngës, produksioni e kishte sajuar Kanitën si mos më keq. E gjora vajzë e njomë me atë look si valltare kabareje. Fëtyra e saj si ëngjëll dhe ajo e lyer dhe e ngjyer si lërë mos  e pyet. E veshur si valltare provokuese!
A nuk mund të gjendej për Kanitën një veshje tjetër, jo më pak skenike, por më e përshtatshme për moshën e saj, kur shoqet e saj akoma luajnë me kukulla! (Tani mbase me kukulla jo, por as për Kabaret nuk e kanë moshën).
Në mendje më vijnë tani, dy mbesat e mia. Pak a shumë të kësaj moshe dhe në momentin  që më dalin para syve me veshjen hipotetike të Kanitës së vogël e shumë të mirë, një krisje e fortë ndodh në shpirtin tim!   


Alketa Vejsiu me Kaniten ne nje nga netet e konkurrimit

Sanremo dhe "shenjtore" te tjere

Ka kohë që në fakt nuk e ndjek Festivalin e famshëm të Sanremos. Kur isha e vogël  mezi e prisja festivalin dhe diskutimet për të, duke filluar nga këngët, prezantuesit, veshjet, truku e të ftuarit, vazhdonin me javë. Cdo gjë në fakt ndodhte kur akoma nuk e njihja Italinë nga afër e festivali më bënte të ëndërroja dhe të fantazoja për këtë vend. Nuk më shkonte kurrë mendja se pikërisht në Itali do të vendosesha përfundimisht e do të hidhja rrënjë të reja. Kur arrita këtu, u habita shumë, kur vura re se ajo që unë e konsideroja si KULT, këtu s'përfillej fare nga moshatarët e mi. Më pas mësova të njoh këngëtarë e rryma të reja, që ishin në një tjetër nivel e që nuk kishin "nevojë" për vitrinën e Sanremos për t’u konsideruar dikushi. Të them të vërtetën, kam provuar ta shoh disa herë ndër vite, por nuk ia kam dalë. Gjithmonë e gjithë vëmendja që i përkushtohej më dukej e tepërt. Duke filluar nga Pasfestivali (që pa humbur kohë u kopjua edhe nga festivali shqiptar) për të mos folur për të gjithë programet-satelit që i bëjnë eko Sanremos, që nga ora gjashtë e mëngjesit e deri në darkë. Pra, më ishte krijuar një lloj neverie nga mbidoza.
Por, pas disa vitesh injorimi reciprok për festivalin, sivjet e pashë. Jo nga fillimi në fund (përveç natës së parë), por mund të them që e pashë. E nuk mund të them që nuk më pëlqeu. Këngët si zakonisht nuk arrita t’i vleëesoja që në momentin e parë, por pas natës së katërt, duke marrë parasysh që dëgjohen kudo, që nga mëngjesi në darkë, fillova të veçoj të preferuarat e mia. Më pëlqen Noemi, Nina Zilli,(çuditërisht) Arisa dhe Samuele Bersani (sidomos pas interpretimit të këngës "Un pallone"(Një top) me aktorin Paolo Rossi.

Meqë u ngacmova për përshtypjet e festivalit "këtej nga ne" po ju tregoj që ka kritika të shumta (por kur nuk ka pasur ???) Kritikat fillojnë që në natën e parë për Adriano Celentano-n e vazhduan natën e dytë a të tretë për "fluturën" e Belen-it (e cila, meqë ra fjala u ka hapur punë shumicës, duke kërkuar nëpër web modelin e mbathjeve, që sipas disave i mbathte, dhe sipas të tjerëve jo) e përsëri për morinë e fjalëve "të forta", që sikur u ç’doganuan përfundimisht nga ky festival. Provokimet mjaft të forta të Celentano-s duken sikur bijnë nga qielli në të njëjtën kohë kur populli kërkonte vend e pa vend (duke hapur edhe grupe në Facebook!!!!) pjesmarrjen e tij në Festival. Ja, më në fund Celentano tha : "Po, do të marr pjesë" dhe vuuuu morija e të tjerëve që e kritikojnë për shpërblim marramendës, e që disi u qetësuan kur morën vesh se këngëtari do t’i jepte për bamirë.
Celentano erdhi, foli, e nuk e di se çfarë prisnin!?Të krihte bishta, apo të ngrinte moralin (në fund të këmbëve) të italianëve, gjë që faktikisht arriti ta bënte mrekullisht Benigni, një vit më parë (e kam parë në youtube), e që në fakt do të ishte përsëritje!?
Sa për "fluturën", besoj se nuk kane pse të ngrihen feministet e të klithin "skandal", kur asnjera nuk luajti kembën për ta mbrojtur, kur Belen-it, para pak muajsh iu publikua, pa lejen e saj, një video private (që tregonte me shumë se një "flutur"). Zonjusha në fjalë është në moshë madhore, është mrekullisht e bukur dhe i pëlqejnë një çikëz provokimet. Shohim gjëra shumë më revoltuese gjithe ditën gjatë edicioneve të lajmeve, apo ndër reality turlisoji këtu në Itali, por edhe në Shqipër , me funeralet "live" gjatë të cilëve gazetarë të paskrupuj, intervistojnë të afërm e të mitur të të ndjerit. Por nejse, kjo kërkon një shkrim në vehte.....
Fjalët e ndyra edhe mua në fakt më impresionuan disi, sepse në Rai na kanë mësuar me një farë filtri. Kritikat janë të forta e nga të gjitha anët.
Tashmë që festivali mbaroi, kemi parë në natën e fundit një Celentano që e mbante disi gjuhën….dhe një Belen e cila e ka hedhur tashmë "bombën" e fundit për këtë festival. Kemi mësuar edhe se kush fitoi. Por nuk mbarojnë këtu diskutimet, përkundrazi….
Prandaj,  diskutim të zjarrtë!!!!

                        Pakez shije nga "Sanremo & Friends"






Edhe këtë vit nuk më shpëtoi asnje detaj nga Sanremo. Mes zhurmës së darkës, pjatave që lahen në lavaman, të qarave të vajzës sime dhe fishkëllimës së kusisë me presion që gatuan drekën për të nesërmen, kaloi para syve të mi, edhe nata e tretë e Sanremos, një mbrëmje krejt e veçantë, me shumë miq të ftuar. Sidomos më bëri përshtypje prania e kitarristit legjendar të grupit Queen, njëkohësisht edhe themelues i grupit dhe menyra se si ai vazhdon të ngrejë në këmbë sallën e madhe të Ariston....Kështu që vlerësimi im i parë shkon për të...Pastaj kishte të ftuar të tjerë, shumë interesant, të njohur nderkombëtarisht, sikurse kishte të ftuar, artistë që emri i tyre nuk më thonte ndonjë gjë të madhe dhe më duhej të hapja Wikipedia-n që të konsultohesha.
Gjithsesi mendoj se njohja dhe mos njohja, ndjeshmeria ose pritja e ftohtë në disa raste, nuk lidhen me faktin nëse je, ose jo, injorant muzike, por edhe me disa faktorë të tjerë, që janë rrethimi gjeografik, baza tradicionale, prirja ose jo nga muzika anglosaksone , në raport me pjesën tjetër, etj.
Kështu përshembull, më bëri përshtypje pritja e ftohtë që iu bë Goran Bregoviç dhe orkestrës së tij, kur ne si ballkanas na bën që të hidhemi përpjetë. Dhe kjo ndodh, sipas meje, jo se për italianët Goran nuk ka vlerë, por duke mos qenë ata vetë ballkanas, nuk janë të influencuar nga muzika e tij tipike e këtij rajoni. Ndërkohë që dukej qartë pëlqimi për spanjollin Sergio Dalma (i panjohur ne Shqipëri), apo portorikanin Jose Feliciano (edhe ky i panjohur).
Nga e gjitha kjo dua të themi se duhet të mësohemi që ta pronojmë më shumë njeri-tjetrin dhe kjo bëhet jo duke përjashtuar (sa më pëlqeu idea e autorëve të Sanremos për të përfshirë të ftuar nga tradita të ndryshme muzikore!), por duke i krijuar vetes mundësinë, që të dëgjojmë në kasetofonin e vogël të makinës, ndonjëherë edhe muzikë franceze, spanjolle, gjermane, apo çfarë do lloj muzike tjetër që ka vlerë estetike!
Sepse jetojmë në një botë që shkon drejt globalizimit dhe ku vlerat individuale duhet të njihen! Vlerat duhet të qarkullojnë!
N.
















Nessun commento:

Posta un commento