TRAVEL

Vizitë në “kullën” e Lasgushit

Shtepia ku ka jetuar poeti Lasgush Poradeci, Pogradec
Kur pashë këtë shtëpinë, që kam fotografuar të cilën edhe ju po shihni, mbeta pak e habitur dhe e tradhëtuar. Sepse nuk përkonte kërkund me atë që kisha ngritur në mendjen time. Me atë që zysha ime e letërsisë në kohën e gjimnazit na e kishte sjellë si një copëz ëndrre, të paarritshme, të magjishme, të mistershme njëkohësisht. Kështu na e përshkruante ajo shtëpinë e Lasgush Poradecit në orën e letërsisë, ndërsa përshkrimi vijonte me portretin fizik të plakut vjershëtor, me kapotën, bastunin dhe qenin e tij besnik, teksa shëtiste ngeshëm në zallishte. Na bëhej se dëgjonim bastunin e tij në korridorin e shkollës, tak-tak, e nuk ngelej tjetër, veç të hapej dera dhe të shfaqej ai….
Kaq ishte rrëfimi për të gjithë klasën, ndërsa për mua, si nxënësen e saj të preferuar, rrëfimi plotësohej me përshkrimin e dhomës së tij të punës, në papafingo, ku gjendej mbretëria e tij e librave dhe që zysha ime, kishte pasur fatin ta vizitonte disa herë, gjatë kohës kur ajo jepte mësim në një shkollë të Pogradecit dhe njëkohësisht kishte krijuar një miqësi dhe simpati të ndërsjelltë me Lasgushin.

Vetëm 2-3 vjet më vonë, kur lexova Kadarenë me “Ftesë në Studio”, mësova se mes dorëshkrimeve të Lasgushit, gjendej edhe një novelë e pabotuar, e vetmja prozë e poetit, me titull “Vizitat e zonjshës Ana X në kullën time”.

Menjëherë pas kësaj, zysh Anën, të cilën nuk e takoja më, nisa ta mendoj çdo ditë e më tepër e të risillja në mendje të gjitha deatjet që ajo rrëfente për Lasgushin, ndonëse si nxënëse gjimnazi që isha, jo gjithmonë u jepja vlerën që duhej. “Kulla” e Lasgushit u bë edhe më e vyer ndaj doja ta shikoja patjetër. Faktikisht gjatë gjithë këtyre viteve, nuk kisha pasur asnjëherë mundësinë dhe kohën e duhur për ta gjetur shtëpinë e poetit, shtëpinë që më joshte aq shumë.

Udhëtimi i fundit në Pogradec ma dha këtë mundësi. Me tim shoq i vumë vetes detyrë se do ta gjenim patjetër.

Gjetja e shtëpisë në fakt ishte një aventurë më vete. Mendoja se në Pogradecin e vogël do ta gjeja sa hap e mbyll sytë, por nuk ishte e thënë. Dikush na orientonte për këtu, dikush për atje, dikush në atë rrugë e dikush tek rruga tjetër. Dy të rinj as nuk e dinin fare, madje pyetën për Lasgushin “Kush është ky?”, ndërsa një zotëri i vërtetë, pronari i një librarie të vogël, na adresoi saktë, duke shtuar “Shkoni, shkoni, por nuk keni çfarë të shihni! Pronari i ri e ka ndryshuar totalisht konceptin e shtëpisë. Katin e parë e ka veshur me ca pllaka të bardha…nuk di ç’të them, do e shihni vetë, por ajo nuk është më shtëpia e Lasgushit!”. “Pse, shtëpia nuk trashëgohet nga njerëzit e Lasgushit”, e pyes unë. “Jo, na thotë, vajzat e tij e shitën për një televizor. Të kishim kohë do flisnim më gjatë, por e shoh që ju po nxitoni. Kalofshi mirë në Pogradec”. Zotëria u largua dhe në sytë e tij shihej trishtimi.

Kjo që po shihni në foto, është pikërisht shtëpia për të cilën po ju flas. Shtëpia që i përket poetit lirik më të madh shqiptar. Një shtëpi e transformuar, me oborrin e copëtuar nga rrethimet e pronarëve që e kanë blerë, me rrethimin dhe derën prej hekuri te bardhë, me ferrat sa një këmbë njeriu në anën tjetër….Ndjeva shumë keqardhje! Ta dinte Lasgushi si është katandisur “kulla e tij”!!!

 Nuk fajësoj askënd, aq më tepër të bijat e poetit që kanë shitur pronën e trashëguar nga i ati, rrethanat, arsyet ekonomike, janë shumë gjëra në mes, por a mund të ishte bërë diçka që ajo shtëpi të ruhej ashtu siç ishte? E pse jo, a mund të shndërrohej në muze? Scrivania, minderi, karriga, raftet e libra dhe koltrinat e bardha të perdeve, oborri me lulet siç ka qenë??? Sa njerëz të dashuruar pas poetit do të kishin vrapuar për ta parë? Sikundër unë! Pse jo, Pogradeci do të kishte edhe një tjetër pikë interesante për të ndarë me turistët. 




Turist në Durrës 

Dhe thonë që Shqipëria ka kapacitetet e nevojshme për të pritur turistët e huaj… Nuk e di cilët turistë të huaj, gjermanë, anglezë apo amerikanë, duan të vijnë e të kalojnë pushimet tek ne? Pikërisht këtë pyetje i bëra dje tim shoqi, ndërsa rropateshim nga njëri restorant tek tjetri në bregdetin e Durrësit, në pritje të një pjate të shijshme për drekën. “Gulash (një gatim tradicional hungarez me mish e patate, por që ju siguroj që është shumë larg recetës origjinale-shënimi im), qofte me mish të paidentifikuar, salcë kosi, patate të skuqura, pilaf, paqe, biftekë dhe peshk të skuqur, megjithëse ti e ke porositur zgare…. Peshku nuk të jep mundësi zgjedhjeje, ka vetëm një lloj peshku që kamarieri thotë se e ka emrin “shtizë”, por në vend të 500 lekë (të reja), që është shkruar në menu, bën 600 lekë… Makaronat, apo pastat, siç u thuhet ndryshe, nuk ekzistojnë, megjithëse janë të shkruara në menu dhe, kur kërkojmë diçka të tillë, të shoqëruar me verë të bardhë, kamarieri që është djali i pronarit na thotë: “Ah, më vjen keq, nuk bëjmë makarona”…”Po ju i keni të shkruara në menu….”, i themi….. “I kemi, i kemi të shruara, por nuk i bëjmë se nuk na i kërkon njeri…” “Po pizza, a bëni?”. “Po i bëjmë, por me thënë të vërtetën nuk i bëjmë si në Itali. A ju bëj më mirë ndonjë mish?” “Po garniturë zarzavatesh keni?” “Jo,…nuk kemi….por bëjmë sallatë me domate e qepë, me të kënaq…” “Atëherë na sill një pizza margharitta, një biftek, një racion peshk dhe dy gota verë të bardhë”. “Pse, në Itali jetoni ju? Se veç ato kërkojnë makarona e verë???” Kamarieri merr porosinë dhe del, ndërsa ne buzëqeshim me ironi. Më në fund vjen porosia, pavarësisht se ashkush nuk ndërron letrën e tavolinës nga vakti që kanë ngrënë klientët para nesh. Dreka kalon me prishaqejfin e drekës…..përreth nuk më zë syri asnjë restorant të hajrit, të gjithë servirin vetëm gulash e qofte…..Ndërkohë që rezultati i cilësisë së ushqimit lë shumë për të dëshiruar…Pizza ka sipër një lloj djathi, si gjalp, brumi nuk ngjan me të pizzave por me të bukës. Peshku është i varfër në sasi, ndërsa bifteku nuk ka shije……





                            KABUNIJA E KRUJES 


Sot do tregoj per Kabunine, nje embelsire tradicioanle e Krujes, eshte kjo ketu ne foto…


E kisha provuar me perpara te gatuar ne kushtet e shtepise kur kam qene diku e ftuar dhe nuk me ka pelqyer. Duhet te them se nuk eshte ne listen e embelsirave qe ka tradite familja apo qyteti prej nga vij.
Por vajtja ne Kruje dhe vizita fantastike ne kete qytet, kaq afer Tiranes, ku une prej vitesh jetoj, ma imponoi ne nje fare mase shijimin e kesaj embelsire ne fund te nje dreke shume te mire, te shijshme, me produkte te fresketa dhe te nje standarti europian ne sherbim, gje qe nuk e prisja ne Kruje. Kam pershtypjet me te mira ne kete  drejtim…
Kur erdhi Kabunija ne tavoline e provova “edhe nje here”, mbase per te verifikuar edhe nje here arsyen e vertete perse i kisha the “jo” kesaj embelsire. Rezultati mbeti i njejte. Dhe pervec shijes qe nuk me pelqen, une u bera paragjykuese kur me shpjeguan perberesit e  saj. Psh, une nuk e dija se si perberes, ishte edhe bishti i mishit te dashit, te zier, te prere fije-fije (fijet dalloheshin qarte te perziera me orizin e ngjitur nga sheqeri) !!!!
E di se do te ngjall “armiqesine” e te gjithe krutaneve kur ta lexojne, se ka njerez qe e pelqejne vertet, por ky eshte thjesht gjykimi im mbi kete gatim.
Kerkova me shume te di dhe mesova se eshte embelsire turke ne fakt, qe ka ardhur ne Kruje, qe nga kohet e pushtimit osman dhe eshte trasheguar brez pas brezi. 


Nessun commento:

Posta un commento