PERSONALE

Pilivesat


Kurrë nuk më kanë pëlqyer pilivesat. Në pamje dukeshin të holla dhe elegante, me ato krahët transparente si vello nusesh, por që sa i kapje, të ngeleshin në dorë. Pastaj ishin edhe shumë budallaqe. Mbaj mend se kur i këndonim “Pilivesë, pilivesë, as ma fal një kokërr vezë?”, ato ishin të gatshme përtej budallallëkut të lëshonin vezët e tyre me një bujari të tepruar (!) Thoni po deshët se kujtimet e fëmijërisë nuk kanë ndikim në subkoshiencën tonë dhe shkëndija më e vogël nuk i ndez ato! Në përgjithësi jam njeri racional. Sa më shumë vitet kalojnë, aq më shumë bëhem racionale. Dhe të kujtosh sa emotive kam qenë dikur! Përpiqem të bëj ato gjëra që duhet të bëjë një grua që punon e që ka fëmijë, burrë dhe shtëpi për të mbajtur. Shkoj në punë dhe rrallë ndaloj pas punës për ndonjë kafe me shoqet. Sepse më duhet të vrapoj në shtëpi për drekën, pastrimin, hekurosjen, pazaret, darkën, rrobat për të nesërmen. Jam me fat nëse vajza fle në darkë para meje që unë të mund të shoh në finale të ditës ndonjë film për qejf me tim shoq, pasi edhe ai ka punuar nga mjesi në darkë, apo të lexoj ndonjë libër, pasi leximi mbetet pasion i imi. (Meqë ra fjala po lexoj “Pema e jeniçerëve” dhe kam mbërritur aty nga gjysma e tij). Meqë dola tek librat, mu kujtua historia që më tregoi një shoku im, histori e vërtetë, për një nga këto njerëzit e pasur, që kishte thirrur një marangoz dhe i kishte kërkuar që për shtëpinë e re t’i bënte edhe një bibliotekë dhe tia mbushte me libra. Ustai i shkretë, meqënëse dinte të bënte veç dollapë, ishte ndjerë i pafuqishëm për të përmbushur këtë detyrë të vështirë dhe i kishte punuar mendja, aq sa për ta pyetur me ndrojë se çfare lloj librash donte pasi do të shkonte në ndonjë librari t’ia merrte sipas kërkesës. Dhe përgjigjia ishte: të kenë kopertina me ngjyra të bukura…… Hihihihihihihihi, sa kam qeshur kur ma treguan. Por më treguan edhe këtë tjetrën se në Tiranë paska njerëz që fitojnë bukën e gojës, duke përzgjedhur libra e duke mbushur bibliotekat e reja të shtëpive luksoze (!) Në shtëpinë time modeste në fakt kemi një librari që sigurisht nuk na e mbush ustai, por e mbushim dhe i lexojmë vetë, ndonëse shpesh herë e gjej veten në dilemë mes çmimit të librave dhe gjerave utilitare që më duhet të blej. Shitësja e librarisë para një muaji më pa si me dyshim kur mori vesh se po u blija libra si dhuratë për vitin e ri mamit dhe prindërve të tim shoqi. (Vërtet është e pagëlltitshme ?!) Të themi të vërtetën, sot është shumë e vështirë që të bësh miq të vërtetë, apo të pakën të gjesh njerëz me të cilët ndan shumë gjëra të përbashkëta, mes të tjerave shijen për jetën apo librat. Kjo është arsyeja që nuk e diskutova dy herë ftesën që më bëri një mikja ime, që natën e vitit të ri, të shkonim tek ajo për të festuar, pirë e folur së bashku. I njihja pak a shumë disa prej tyre, por edhe ato që njoha aty, ishin njerëz mjaft komodë, ndaj frika e fillimit se mos biseda do shteronte gjatë mbrëmjes ishte krejt e kotë. Në darka të të tilla dihet se televizori është një element i tepërt (ehu, kur ke verë të mirë për të shijuar e biseda të këndshme për të bërë, ç'e do televizorin, por gjithsesi le të rrijë ndezur sa për sfond!) Por pikërisht ky televizor, më saktë një nga kanalet e tij, u bë shkak që unë të sillja në kujtesë pilivesat. “E dini sa paguhet kjo Pilivesa që përdridhet, e që as për tu përdredhur nuk di??? …..2000 euro në muaj….Mua më del truri nga vendi mes shifrash e nuk marr aq”, thotë njëra nga miket e mikes sime, e cila në fakt punon në sektorin bankar e që sipas gjykimit tim edhe aq sa merr ajo janë shumë mirë, në raport me shumë shumë shumë shumë më pakshin tim (!) Po Filanja që punon po në atë televizion e dini sa merr?????.... 3000 euro. Po ajo tjetra, hë pra ajo që doli në gazeta se ishte e lidhur me atë, pastaj më këtë, e pastaj me atë…..që ka bërë gjoksin, buzët, vithet…..Po çfarë bën ajo? Këngëtare? Jooooo!!!Gazetare????....Joooooooo. Çfarë bën pra? Ja del në gazeta……E sa e kishte rrogën? 4000 euro…………Jo, o zot! Po ajo që është drejtoreshë e këtij dikaster, po ajo tjetra, sa ka ecur ajo tjetra!!!!!!Pse çfarë i punon i dashuri asaj? Po burri? Pse ajo paska edhe të dashur edhe burrë?! Po më çudit….Për kë ka votuar ajo??? E kështu ne nisim rrëfime Pilivesash, por edhe që marrin rroga të majme e bëjnë jetë vitrinash, megjithëse zor se kanë lexuar një libër më shumë në jetë vec librave të shkollës, madje edhe shkollën zor se e kanë bërë aq seriozisht sa e kam bërë unë (të paktën). Kujtoj rrogën time shume shumë shumë shumë më pakëshe dhe trishtohem për dhjetat e mia të shkreta dhe dinjitetin e vërtetë që rrjedh prej tyre. Për diplomën që dikur me krenonte, por që sot e kanë të gjithë, të ditur dhe injorantë bashkë, për orët zgjuar natën pranë abazhurit për të dhënë një provim, për librat e nisur e mbaruar me një frymë, bisedat për librat e pikturat që bënim me tim atë rreth tavolinës së drekës apo dorëshkrimet që qarkullonim dorë më dorë….Por edhe për librat që vazhdoj tia lexoj sot vetes si dhe sime bije. Jetojmë në kohë Pilivesash, jo më kot nuk i paskam pëlqyer që në fëmijëri. Sa për xixëllonjat. Nuk them Jo.










“Shen perjetimi"


Shpresoj që sot asnjëra prej jush të mos ketë harxhuar shumë kohë pёr zgjedhjen e dhuratës së duhur për partnerin. Për vete e konsideroj "festën" e sotme mё shumë si "festë" e dashurive të pamundura, të pafilluara, të mbetura pas dore. Ato te kurorёzuarat teorikisht festohen çdo ditё, apo jo!?

Megjithatë desha të ndaj me ju një objekt (që edhe mund ta dhuroni!!!!) tё cilin e kam realizuar vetë. Nuk ështё doemos dhuratë e Shën Valentinit, por kur po e realizoja, kur po mbidhja shkopinjtë e vegjël nё breg të detit gjatë njё shëtitjeje në njё ditë dimri kur batica sjell me vete përveç shkopinjve edhe dramca kujtimesh, shikimesh e frazash të pathëna, kur po punoja në shtëpi për realizimin e kësaj zemre druri përjetimet e "Shën Valentinit " ishin aty pranë meje, pa nevojën e luleve, kinemasë apo darkave të kushtueshme….


A duan femrat gjithcka?


Por, pasi gjeta lajmin në web, sipas të cilit Anne-Marie Slaughter, ish Drejtore e Politikave të Planifikimit në Departamentin amerikan të Shtetit, dha dorëheqjen nga posti i saj si këshilltare potente e Obamës, për t’i ardhur në ndihmë djalit adoleshent të ndodhur në vështirësi, gjithçka brenda meje u bë më e qartë. Tiganët e mi morën sërish një kuptim.
“Një vendim, i vështirë”, rrëfente ish zyrtarja e lartë në intervistën e saj me titull “Sepse gratë nuk mund ti kenë të gjitha”, botuar në revistën “The Atlantic” të Bostonit. Pas këtij artikulli, pyetja tek unë erdhi krejt e motivuar: A mundet që gratë ti kenë të gjitha???
Le të marr veten time. Kam një shkollim të mirë, punë të mirë, familje të mirë, por vë re se bota ime intelektuale përditë e më tepër shtegton larg meje, dhe unë që i përkushtohem çdo ditë gjërave utilitare të familjes sime. Krejt papritmas e gjej veten të pushtuar në web, në faqe që i kushtohen pedagogjisë dhe psikologjisë së fëmijës, në receta kuzhinash pa fund, apo modele arredimi të tipit “Fai da te”.
Familja apo karriera? Këtë pyetje gratë ia kanë bërë vetes shumë herë dhe zgjedhjet që kanë bërë, kanë qenë edhe përgjigjet e tyre. Për të disatën herë ia bëj vetes këtë pyetje.
Ja mikja ime, e pamartuar, me një karrierë shumë të mirë dhe me kërkesa të larta tek vetja. Deri tani i ka ecur shumë mirë me punën, jo edhe aq mirë me meshkujt dhe si rrjedhojë akoma nuk ka krijuar familjen e saj. Por pas pushimeve të kësaj vere e gjeta me mendje tjetër: “Boll kam sakrifikuar për karrierën, më tha, dua të sistemohem. S’më intereson fare të bëj karrierë, dua veç një punë dhe një burrë”. Pak a shumë të njëjtën gjë, por të formuluar me një sintaksë tjetër e bëri edhe kushërira ime, 17 vjeçare. “Karriera, e kujt i duhet???? Një punë të qetë, në të ardhmen një burrë të mirë dhe të jetoj jetën pa stres”. E habitshme të mendosh se si po ndryshojnë prioritetet nga brezi në brez. Në brezin tim, gjatë viteve të shkollës, e shumë kohë më pas, karriera ishte ambicia e të gjitha mikeshave të mia, përfshirë këtu edhe mua. Studim rigoroz në shkollë, luftë më tej, sfilitje, lodhje, angazim në emër të karrierës.
Pëpara disa netësh pashë për të disatën herë tek Digi Autor një film me Julia Roberts, “Mona Lisa Smile” (Buzëqeshja e Mona Lizës), ku ajo interpreton rolin e mësueses në një shkollë prestigjoze vajzash në Amerikë, ku qëllimi kryesor mbetej akoma martesa. Julia Roberts, mësuesja e re e historisë së artit, arriti tu hapë atyre mendjen dhe të ndikonte që këta vajza të shihnin më larg në jetën e tyre. Veç martesës, kishte edhe studim, univeristet, karrierë….. Ishte Amerika e viteve 1950. 
Filmi është emocionues, emancipues dhe polemizues njëkohësisht. Një polemikë që e bëj edhe me veten time. Frymëzuese përpjekja e Roberts për pavarësi dhe karrierë tek femrat. Sidomos një moment kur u thotë nxënesve të saj: “Ju të gjitha e keni mendjen tek martesa…Atëherë përse ju duhet Da Vinci, apo që ta sodisni pikturat ndërsa grini në kuzhinë qepët!” Ky është pak a shumë perifrazimi. Por nga ana tjetër ndonjëherë më duket sikur ajo nuk ka pasur të drejtë. Sepse vjen një moment dhe ti e kupton se fëmija yt apo tiganwt qw presin tw mbushen nga ti, kanë shumë më tepër vlerë dhe rëndësi se çdo promovim profesional apo rritje në detyrë.
Kohë më parë kam qenë ndër mbështetëset e përpjekjeve femërore për të ecur në karrierë. Në fakt jam për pavarësinë ekonomike dhe sociale të femrës, por më duket thujase e pamundur që të shkëlqej edhe në punë, edhe në shtëpi, edhe më shoqërinë, edhe me look, edhe me tiganët e mi…
Për gratë që “Can have it all”, mund t’i kenë të gjitha, mendimi feminist ka debatuar gjatë dhjetëra vjeçarëve. Një gjysëm gënjeshtër por edhe një ëndërr referuese. Nuk është e mundur që të jemi prindër të shkëlqyer dhe njëkohësisht të kemi suksese planetare, është e pamundur qëtë përputhim nevojat e punës me ato të familjes. Të paktën jo më për një kohë të gjatë dhe pa ndihmën e partnerit apo kompromosit me vendin e  punës.  



Miqesia femer/mashkull



Përveç shoqeve, kam edhe një mik të mirë, të cilin e takoj shpesh dhe pi  kafe me të gjatë orarit të punës. Bëjmë shaka, flasim për jetën tonë dhe çfarë gjërash kemi bërë. Mendoj se është gjë e bukur të kesh një mik me të cilin të flasësh. Ajo çfarë nuk ju thashë për të është se të dy jemi të martuar me njerëz të tjerë. Nëse pikërisht tani ktheheni edhe një herë dhe lexoni atë që kam shkruar më sipër, kjo miqësi merr një vështrim të ndryshëm. Ndoshta ju po pyesni:  çfarë është kjo miqësi? Mos kanë gjë emocionale mes tyre???Ju siguroj që Jo.


Por, pyetja është: burrat dhe gratë a mund të mbajnë miqësi, kur njëri  ose të dy janë të martuar? Dhe në qoftë se ata munden, cilat janë rregullat bazë?
Kur isha beqare, kisha shumë miq meshkuj dhe ishin një pjesë e rëndësishme e jetës sime. Dhe jo se isha e tërhequr seksualisht pas ndonjerit prej tyre, kështu që nuk kishte ndonjë rrezik se mund të bija në dashuri me to. Asaj kohe nuk e kisha marrë parasysh se çfarë mund të ndodhte më tej, nëse ndonjeri nga këta miq binte në dashuri me mua.
Mirëpo kur kjo gjë ndodhi, pra kur shoku im i shkollës më tha se nuk më shikonte dot vetëm si shoqe, unë u përpoqa ta mbaja sa më larg këtij argumenti. Por kjo për pak kohë, sepse ai përsëri u përpoq të më shpjegonte si aksidentalisht se, nuk më shikonte dot si shoqen e tij dhe pas refuzimit të radhës, ai u largua i dëshpëruar dhe zuri të dashur një mike tjetër tonën. “Nuk mund të të kem shoqe, o të dashur, o asgjë”.   


Mendova se kjo ishte vetëm një gjë e viteve të shkollës, por kjo rezulton se duhet të jetë mënyra me të cilën burrat dhe gratë kanë të bëjnë me njëri-tjetrin. Kohët e fundit një studim i publikuar në “Scientific American” deklaroi se gratë kanë më shumë gjasa të mbajnë një mashkull në lidhje platonike, ndërsa burrat e kanë shumë më të vështirë. Këto miqësi janë maskuar me një mbulesë  impulseve seksuale nga njëra prej palëve. Në studim thuhet se meshkujt janë  shumë më të tërhequr seksualisht ndaj mikeshave të tyre, ndërkohë që femrat janë më pak të tërhequra për miqtë e tyre meshkuj.
Kur takova burrin tim, ai në fakt ishte një ndër ish shokët e mi, me të cilin kishim humbur lidhjet prej vitesh dhe rastësisht kur u ritakuam, e pamë njeri- tjetrin me sy tjetër. Ishte një ndër miqtë me të cilin për fat, zbuluam një tërheqje seksuale ndaj njeri- tjetrit. Pasi u martuam,  pothuajse të gjithë miqtë e mi meshkuj ranë në buzë të rrugës. Kohët e fundit, kam pyetur shoqet e mia të martuara nëse ata ende kishin miq meshkuj, dhe ata, gjithashtu, më lanë të kuptoj se miqtë e tyre meshkuj ishin zhdukur prej kohësh. Miqësitë e punës ishin OK, por duke marrë në konsideratë ato jashtë punës, starti ishte jo i mirë.

Duke hedhur një sy tek miqtë e Facebook-t, konstatoj se shumë miq të shkollës së mesme, të universitetit, që i mendoja të afërt, nuk ekzistojnë fare në listën time, madje edhe kur ekzistojnë, kontakti me to është shume i thatë, formal. Në këtë rast, fëmijët janë pjesë e ekuacionit  të komunikimit me ta, përmes komenteve apo “like” mbi fotot e të vegjëlve.

Nuk e di, nëse është pjesë e progresit natyror që përfundojnë këto miqësi të ngushta, apo sepse ka një mungesë interesi për shkak se partneri ynë na plotëson nevojën që kemi për seksin tjetër? Ose kjo vjen, pse gratë e ish shokëve mund të tronditen nga miqësia me ish shokët tanë. Sa për vete e di mirë se, nuk do të më pëlqente aspak që burri im të kishte një miqësi të ngushtë me një grua tjetër, përveç nëse ajo do të kishte pamjen e një rosaku të shëmtuar.
N.




  "Creation"

“Origjina e specieve”, filmi i vitit 2009 i regjisorit Jon Amiel, më bëri të mendoj gjatë dhe të qaj gjatë. E pashë vetëm 2 netë përpara, pasi vura vajzën në gjumë. Ja ku kisha para syve të mi Sir. Charles Darwin-in, jo atë tullacin e plakur me mjekër, që fëmijë e kisha ndeshur të stampuar tek libri I Biologjisë, por një Sir. të një kategorie krejt tjetër: elegant, I ndjeshëm, gjenial, baba shembullor, gjë që nuk mund ti konstatoje nga një libër biologjie, ku ajo cfarë më kishte mbetur në mendje, ishte se : “Origjina e njeriut vjen nga majmuni”. Me mendje pa të drejtë e kisha gjykuar si heretik, si të pafe, si kondravers(!) Mirëpo mbrëmë, siç shkrova pak më sipër, pashë një film të mirë, filmin “Origjina e specieve” (Creation), kushtuar shkencëtarit të madh dhe rrugës së mundimshme për të shkruar librin që tronditi botën, që shkundi bazat e besimit të shoqërisë së kohës, por edhe vetë jetën personale të Darwin-it. 
Pas tronditjes që më shkaktoi filmi, nuk mund ta akuzoj më si heretik, por vetëm si shkencëtar. Se vetëm një mendje gjeniale dhe një shkencëtar I vërtetë, nuk heq dorë nga e vërteta e shkencës…Edhe pse duhet të luftojë qoftë brenda familjes së tij, me gruan, me famulltarin e kishës, me opinionin e gjithçka tjetër. Ky burrë kishte sakrifikuar gjithë jetën në udhëtime ekspeditash, I kishte rënë botës kryq e tërthor, kishte eksploruar me qindra specie të të gjitha llojeve, dhe pavarësisht kundërshtimeve apo aprovimeve që I janë bërë, ai nuk mund ta flakte tej, Teorinë e tij të origjinës. “You’ve killed God, sir. Congratulations!” deklaronte Thomas Huxley (Toby Jones) në adresë të Charles Darwin (Paul Bettany) në fillim të filmit. Dhe në fakt dhimbja për këtë fakt duket se e shoqëroi deri në fund të jetës së tij, shkencëtarin e madh. Ju ftoj ta shihni këtë film të madh….
N.





Mos i kerkoni burrite te lajne enet

“Punët e shtëpisë nuk e ndihmojnë jetën seksuale. Dhe burrat që harxhojnë më shumë kohë në punët “tradicionalisht femërore” si, pastrimi, gatimi apo pazari, bëjnë më pak seks.  Rezultatet e një studimi të ri nga ana “American Sociological Revieë”, botuar kohët e fundit në Shtetet e Bashkuara, nuk lënë vend për dyshim: ata meshkuj të cilët ia dedikojnë kohën e tyre profesioneve tipike për meshkuj kanë një jetë shumë më aktive seksuale.

“Meshkujt të cilët marrin pjesë më shumë në punët e shtëpisë, që tradicionalisht janë punë femrore, kryejnë marrëdhënie seksuale më pak. Anasjelltas, meshkujt, të cilët bëjnë pjesën tradicionalisht mashkullore, kanë një jetë seksuale më të fortë”, ka thënë  autori i studimit, Sabino Kornrich. Në veçanti, rezultatet tregojnë se meshkujt që janë më të përfshirë në punët e shtëpisë, bëjnë seks me një mesatare prej 5 herë në muaj, ndërsa të tjerët njëzet herë më shumë në vit. Por ky rezultat i studimit nuk duhet të jetë një justifikim për të punuar më pak: “Duke refuzuar për të marrë pjesë në punët e brendshme, mund të shkaktohen përçarje dhe pakënaqësi të grave”, konkludon studimi.



Shume leke per te bere ski

Vonë jemi kujtuar ne shqiptarët të shkojmë për ski. Tek ne nuk ka pista për ski, por duke parë e mësuar nga bota, kemi filluar të frekuentojmë pistat e vendeve fqinje. Mali Zi, Maqedonia, Kosova kanë të tilla dhe shqiptarët po zgjedhin të kalojnë fundjavat atje.
Meqënëse është traditë e re për ne, po ju them të gjithëve se është sport I bukur, ka andrenalinë, por ka edhe shumë kosto. Ja cila është veshja e duhur për të bërë ski dhe çmimet përkatëse, të një niveli mesatar, jo veshje marke, meqënëse kushtojnë shumë më tepër.



Veshja më e mirë për ski është kjo:

tuta të brendshme – mundësisht sa më të ngrohta nga (10 në 50€),
tuta për sipër – sa më e ngrohtë (10 në 50€),
shall ose golf në formë shalli (opsionale 20€),
kapuç (opsionale 20€),
tuta për ski (nga 40€ e lart)
xhaketë për ski, mundësisht nga jashtë prej materiali fësh- fësh, që të rreshqasë bora (nga 40€ e lart)
doreza për ski (nga 30€ e lart)
syze dielli (këshillohet nga 30 € e lart, jo më pak)
çorape të gjata leshi (nga 10 € e lart)


 Skitë, shkopinjtë e skive dhe këpucët e skive, do i merrni me qera tek pista, nuk ia vlen ti blesh

 se kushtojnë shumë shtrenjtë (Më duket se i thashë të gjitha, ndërkohë ju këshilloj një krem të mirë me burrokakao për buzët….dhe tani jeni gati për të bërë ski.
  
P.s Mos harroni të hidhni xhakoventon krahëve deri tek pista, se përveçse në televizor, tek pista ku ju do të shkoni, bie borë edhe në këto moment!

                                                                        

Tregtare flamujsh


Tregtaret ambulant qe shpresojne te bejne ndonje lek duke perdorur ndjeshmerine kombetare me kujtuan sot nje nga novelat e Ernest Koliqit me titullin "Tregtare flamujsh".....

Jam e sigurte qe tregtia qe ato bejne nuk lidhet as me ndjenjat e krenarise kombetare e as me 100 vjetorin e pavaresise...Lidhet me buken e gojes......Me poshte po postoj foton e njerit prej tyre, poshte shtepise sime, fotografi e bere 10 minuta me pare......E nderkohe kerkova me shpejtesi ne biblioteken time novelen qe ju permenda dhe zgjodha kete fragment te vogel. 
Ndjese per njerezit e shkrete qe duan te nxjerrin buken e gojes....
Fragmentin e Koliqit le ta interpretoje secili sipas kendveshtrimit formimit, dhe ndjeshmerise se vet!:

"Posi... U ba Shqipnija. Dalin te marrët e vikasin: Rrnoftë Shqipnija!T'i i meçëm, përgjigje tue bertit ne kupe te qielles: Rrnofte, po!E shpejt me porosit flamujt. Na shkyeju: rrnofte! e ti shit, ban pare tue tregtue mbi ndiesit t'ona. Loje e bukur,por s'te ka dale..."""""
N.



Rikthimi



Mbrëmë rashë të fle e kënaqur, për atë që kishte ndodhur sot në shtëpinë tonë. Kënaqësia vinte nga fakti që vajza ime 16-vjeçare erdhi per vizitë me MUA  tek ime motër, tek TEZJA e saj, gjë që nuk kishte ndodhur prej shumë kohësh....nuk e mbaj mend se kur ishte hera e fundit.....(Për një adoleshente të shkojë për vizitë nëpër fis, as që bëhej fjalë!) "Mund të dal vetëm me miqte e mi!!! Çfarë do të bëj unë me ju?"- mbrohej ime bije, kur unë e nxisja dhe kisha dëshirë që ajo të vinte me! Por ajo rezistonte dhe kështu ne (unë, im shoq e vajza e vogël 10 vjeçare) iknim kudo pa të.........(!)
Po ja që dje pasdite të gjithë u habitem, madje ime motër kur trokitëm në derë e gjithë familja, qeshi paksa e habitur. Por habia jonë nuk mbaroi këtu. Pasi u kthyem në shtëpi e unë fillova të merrem me përgatitjen e darkës, ime bijë erdhi e më tha se sonte kishte dëshirë që ajo të përgatiste picat... Nuk po u besoja veshëve. Dhe ashtu ndodhi. Unë me burrin tim u pamë në sy, e shikimet tona thonin: "Kaloi, kaloi më duket stuhia. Kaloi koha kur "prindërit nuk kuptonin asgjë", e kur ne "kishim jetuar në një shekull tjetër".
Pica më të mira se ato nuk kemi ngrënë ndonjë herë, ne, burrë e grua! 
J.




Ne kujtim te Whitney Huston


E para gjë që më pyeti im shoq sa u kthye sonte nga puna, ishte nëse vazhdoja të pija ksanaks (xanax). Po ç’pyetje është kjo? Jetoj unë pa ksanaks? Si mund t’i mposht ankthet e mija pa të?

“Sepse Whitney Huston vdiq pasi pinte ksanaks dhe alkool. Ndërsa ti dje në drekë pive një gotë birrë e vazhdon të marrësh ksanaks”.
Ndërsa im shoq më tregonte lajmet e fundit për pistat e hetimit që kishin ngritur mediat e huaja lidhur me vdekjen e Whitney, mua më doli para sysh një kasete e vjetër me shirit, nga ato që sot nuk ekzistojnë më, me ngjyrë kafe të errët, që unë e kisha dëgjuar me dhjetëra here në muzgjet e lumtura të rinisë sime të hershme nga magnetofoni i shtëpisë. Më doli para sysh dhoma e vogël me shtreterit e saj, dritarja që shikonte nga oborri i komshisë e ku dëgjoheshin sistematikisht “këngë me çifteli” nga malësia, kakarisja e pulave që grindeshin për kokrrat e kallamoqit dhe unë symbyllur duke parë veten si në një mirazh të bukur, në “I will always love you”. Të gjitha ëndrrat e mia krijoheshin brenda një hapësire të vogël, që ishte shtëpia dhe shkolla, por brenda tyre kishte me mijëra dritare nga ku unë shihja botën dhe bashkë me Whitney këndoja “One moment in time”.  
Ishte koha kur kisha nevojë për dashuri dhe kur Whiteny dashuronte sinqerisht. Ishte koha kur ajo kishte pushtuar botën dhe unë isha pushtuar nga ëndërrat se do të bëja gjëra të jashtëzakonshme e mbi të gjitha do të fitoja betejën e dashurisë. Po sa e vështirë ishte kjo betejë?
Tani e besoj se, sikundër unë, as Whitney në kulmin e suksesit nuk e dinte. Dashuria atë e shtyu në krahët e Bobby Brown, mashkulli problematik, që  veç gjërave të tjera, e prezantoi me ksanaksin…
Të gjitha këto më dolën parasysh dhe sidomos mu gdhend para sysh numri 48….
Shumë e re për tu ndarë nga kjo botë! Nga bota moderne, ku femrat pijnë ksanaks dhe drekojnë me një gotë vere a birrë. Ndërsa meshkujt pijnë vetëm birrën apo verën, në më të shumtën e rasteve pa ksanaks.
N.


Sot, për Shën Valentin

Zyra ku  unë punoj përbëhet nga 4-5 vetë, që shumicën e kohës e kalojnë me biseda nga më të ndryshmet. Herë- herë, debatojmë kaq fort, sa dëgjohemi deri në fund të korridorit.
Përgjithësisht shkojmë mirë njëri me tjetrin. Por për shumë argumente kemi kendvështrime të ndryshme dhe, duke qenë se tek secili prej nesh spikat tipari i protagonizmit, asnjëri nga ne, nuk heq dorë kollaj nga e vetja, por i shkon deri në fund. Sidomos unë(!)
Meqënëse sot ishte 14 shkurti, edhe temën e kishim të gatshme. Biseda nisi tek lulet, dhuratat, dashuria dhe shumë shpejt mbërriti tek tradhëtia. Dhe meqë ra fjala, sot mësova një thashethem, që miqtë e punës ma serviren si fakt krejt të vërtetë, ndërsa mua më tronditi sa më la pa fjalë: Një femër e njohur e ekranit, e martuar dhe me një fëmijë, ishte dashnorja e deklaruar e një funksionari, edhe ky i martuar dhe me fëmijë. Paradoksi është se e dinin familjet reciproke dhe, aq më tepër, fëmija i kësaj zonje, në fakt ishte fëmija i saj me funksionarin dhe jo me bashkëshortin e urtë si kone.
“Sa prapa bote qenke”, më thanë duke u tallur miqtë e mi. “Sa raste të tilla njohim?! Plot”.
Dhe vërtet raste të tilla qarkullojnë në Tiranë dhe njerëzit i kapërdijnë përditë bashke me kafenë e  mëngjesit, ndërsa lexojnë gazetat ku  serviren lajmet e politikës së papërgjegjshme dhe gossip pseudovipash pa brekë. “Mos u bëj më katolike se Papa”, vijojnë miqtë e mi. “Nuk ndodh gjithmonë për përfitime…. Njeriu mund të krijojë një lidhje paralele, rëndësi ka që ti të mos ndihesh e braktisur. Punë e madhe se burri ka dashnore. A vjen çdo natë në shtëpi? A sjell lekë mjaftueshëm? A paguan qiranë e shtëpisë dhe shkollën e fëmijëve? Për mua është në rregull….”
Ky arsyetim ma heq menjëherë trurin. Se unë s’mund ta pranoj që njerëzit ta legjitimojnë tradhëtinë.
Gjej momentin dhe shpraz gjithë turbullirën që më ngjall ky diskutim kundravers: “Unë, u them, e pranoj se njeriu, i martuar ose në një lidhje, mund të ndodh që  bie në dashuri, të dashurohet fatalisht, të mos mendojë më për asgjë dhe të jepet i i tëri pas këtij pasioni të ri….Por, duhet të ketë kurajon, t’i thotë partnerit të tradhëtuar se këtu mori fund. Unë nuk mund të ndërtoj një jetë të gënjeshtërt dhe të pranoj që im shoq ka një raport stabël me dikë tjetër… Nuk mund të pranoj as të kundërtën, pra, që unë të kem një raport të tillë dhe të mashtroj në çdo moment tim shoq”.
“Askush nuk vepron siç mendon ti”, më thonë ata. “Se njeriu mund të takojë shumë dashuri gjatë jetës, por nuk ka pse ta prishë familjen”.
“Po cilën familje? Familjen e gënjeshtërt? Për mua këtu nuk ka moral”.
“Morali??????E kujt i duhet se me kë ikën burri im? Rëndësi ka të më lejë mua rehat……”
Në këtë pikë të diskutimit, unë ngel pa fjalë, pa fjalë dhe pa fjalë….Jo se nuk kam argument, por duhet super energji për të kundërshtuar principin e rremë, mbi të cilin funksion shoqëria jonë e kalbur.
N.



Nenat e reja


Sot duke shetitur neper web, rastesisht ndesha ne kete foto:


Zonja në fjalë është një Deputete Italiane e Parlamentit Europian, quhet Licia Ronzulli. Fotoja më bëri të buzëqesh fillimisht; pamja është e bukur: një nënë e re, e veshur me shije, e trukuar dhe e krehur në mënyrë perfekte, që përfshin edhe të bijen e vogël 18 muajsh (me sa duket nga fotoja) në aktivitetin e saj si Eurodeputete. Ideja në fakt është e shkëlqyer: nënat punojnë dhe kujdesen në të njëjtën kohë per femijën e tyre!!!!(???)Vazhdova kërkimin dhe pashë që kjo ndodhi nuk ishte e rastësishme, por që Zonja në fjalë e kishte sjellë vajzën në seancën parlamentare qe kur paska qënë 6 muajshe.






                                         

Pra e paska bërë “vijë” këtë punë. Sa më shume që e shihja, e aq më shumë fillova të kujtoja kohën (jo shumë të largët) kur edhe unë kisha dy vajzat e vogla. Unë jo vetëm që nuk flija gjatë natës, pasi të dyja zgjoheshin me dhjetëra herë dhe në mëngjes kisha një pamje shumë të largët me zonjën në fjalë. Fytyra ime, në zgjim, tregonte pa mëshirë të gjithë lodhjen e natës, atë të natës së mëparshme dhe atë të së mëparshmes akoma..... Ndihesha aq e  lodhur sa që nuk kisha  as  forcë e as dëshirë të kaloja pragun e derës.....(lëre pastaj të shkoja në punë!!!!)

Këto mendime po më ngrysnin gjithnjë e më shumë sot edhe më vonë kur nuk isha më para kompiuterit e po merresha me punë të tjera.

Ngrysjen e vuri re edhe ime motër që erdhi për vizitë pak më parë tek unë. Ajo sikur ma hoqi pak trishtimin. Pikëpamja e saj ishte pak më ndryshe se e imja: “Kjo zonjë sipas meje, tha në shtëpi ka të paktën një dado, që merret me vajzën dhe puna e saj në Parlament nuk ma merr mendja se zgjat shumë. Shkon, voton dhe ikën, sepse më duket e çuditshme që një fëmijë aq i vogël të arrijë të qëndrojë me orë të tëra (të paktën 8, si gratë e tjera “normale”) në një ambient të tillë, ku nevojat parësore të një fëmije të vogël nuk mund të kryhen.

Ndoshta gënjej vehten, por duke i parë dhe riparë këto foto, e gjitha më duket si reklamë. Reklamë për deputeten, për partinë (nuk më intereson cila) që perfaqëson, për aktivitete të tjera që kjo zonjë mund të zhvillojë, e që pa dashur t’i heq vlerat, janë sigurisht të denja..... Nga ana tjetër shpresoj që votimet e deputetes në fjalë të kenë të bëjnë me gratë, me të drejtat e tyre për tu bërë nëna pa qenë nevoja të pushohen nga puna për këtë. Shpresoj që të votojë për të drejtat arsimore (kopshte e shkolla) publike ku edhe femijët që nuk i kanë nënat parlamentare, të mund të shkojnë në kopësht, pa ju dashur të presin rradhën nëpër lista të pafundme.

Dhe hodha sytë tek flokët e mi të pakrehur tek parukierja, ndërsa sytë më shkuan për të njëqindën herë tek ora e murit. Duhej të çoja time bijë në kursin e pianios, ta merrja përsëri, të bëja pazar, ta ndihmoja për mësimet, të gatuaja, të hekurosja ca rroba ….    
F.



Te shtunen tek "Stela"




Të shtunën në mbrëmje, me bashkëshortin dhe vajzën time te vogël shkuam tek Stela. Stela është një prej lokaleve të shumtë të Tiranës, nja 6-7 km larg, përgjatë autostradës për në Durrës. Pishinë të mirë, lodra për fëmijët, birrë të freskët dhe produkte zgare….Pas një ditë të lodhshme vere ky ambient mendoj se është i duhuri për të hequr stresin….





Dhe kështu përfunduam tek Stela, zumë një tavolinë dhe nisëm të shijonim, ne birrën dhe zgarën, ndërsa ime bijë picën dhe lodrat. Kur menduam se kishim përmbushur gjithë kënaqësinë tonë dhe sytë po na rëndonin nga gjumi dhe birra, vetëm atëherë u bëmë kureshtarë për t’u ngritur dhe për të parë se ç’bëhej në pjesën e pishinës të rrethuar me gardh të bardhë. 

Në fakt muzika dhe të thirrura të çmendura dëgjoheshin prej nja një ore dhe të zhytur në botën tonë familjare, nuk ishim treguar aspak të vëmendshme për të parë përtej…. Me vajzën në krahë u drejtuam për aty…..Dhe pamë një dyzinë vajza dhe djem të rinj, adoleshentë, që kishin flakur këpucët dhe rrobat e trupit, dhe me rrobat e banjos kridheshin në ujë, kërcenin, pinin alkool dhe putheshin…. Platforma ishte lagur e tëra, balerinat kërcenin në skenën ballore të pishinës ndërsa adoleshentët ngopeshin me alkool, puthje dhe prekje të paturpshme…. U përpoqa të shmang vështrimin e time bije duke I treguar hënën e plotë në qiell, ndërsa me tim shoq nisi diskutimi për to… Unë shqetësimin tim e reflektiva menjëherë. 
Jo se kam gjë kundër këtyre të rinjve, jo se i paragjykoj për festimet e tyre të bujshme të “kalajmajve” dhe lodrat e tyre të “doktorit”, jo se jam konservatore dhe bëj moralisten, por I trembem kohës kur ime bijë do të kërkojë të njëjtën gjë, në mos më shumë, sepse do të jetë një tjetër kohë. Shqetësimit tim, iu përgjigj në mënyrë të drejtëpërdrejtë im shoq. “Mos ke ndër mend ta pengosh vajzën të jetojë adoleshencën e saj? Unë përvete s’dua ta ndaloj. Ajo ka jetën e saj dhe unë dua që ajo të bëjë gjithçka çfarë e bën të lumtur, sikundër ke bërë edhe ti, sikundër kam bërë edhe unë”, konfirmoi ai. Në fakt ai ka të drejtë. Unë nuk dua të jem një prej atyre nënave arbitrare që vendosin ashpër për fëmijët e tyre. Dua të jem mikeshë e vajzës sime. Nuk kam si e ndaloj kur ajo të kërkojë të argëtohet me miqtë e saj. Të ketë të dashurin e saj…
Por dua që të mbështetet tek unë kur të humbasë të dashurin e parë. Pas gardhit të bardhë shoh një mama dhe gjyshe, shqetësimi i të cilave lexohet në sy. Mes errësirës nga skuta e shkurreve ku janë fshehur, ata me sy zhbirilojnë vajzën e tyre. Vajza ka rroba banjo të kuqe, ndërsa djaloshi ngjitur me të e prek pa teklif. Instiktivisht shtrëngoj vajzën në krahët e mi. E di se shumë shpejt do të vijë koha e ajo do “largohet”. Nuk dua të jem një nënë intolerante. Thjesht nuk dua lot në sytë e saj….

N. 


Urija e dashurise qe shkaterron grate

Një mikja ime u nda nga i dashuri, thjesht me një sms, ku ai i shkruante “kam nevojë për pak refleksion për lidhjen” dhe e shkreta nga dhimbja humbi në dhjetë ditë 5 kg.

Ky është vetëm një nga rastet e shumta të urisë së dashurisë, që shkatërron gratë.

Këto shqetësime, shpjegojnë ekspertët nuk duhet të ngatërrohen me sëmundjet e oreksit. Janë shformime të thella psikologjike që shprehin, përveçse raportin me ushqimin, një “uri dashurie” dëshpëruese.

Përtej efekteve psikologjike, anoreksia sjell dëme të mëdha të pamundësisë të veshkave, komplikacione kardiovaskolare, rënie të flokëve dhe të dhëmbëve, e ndonjëherë edhe bllokim të ciklit menstrual, shqetësim që, nëse zgjat mund të provokojë osteoporozën.

Ajo që dihet është se anoreksia mund të përfshijë me një goditje jo vetëm funksione psikologjike, por edhe neuroendokrine, hormonale dhe metabolike, për të cilën nuk është gjendur akoma një kurë preçize. Lidhja mes shëndetit dhe sëmundjes duket se gjen konfirmim në një numër të madh aktoresh dhe grash të famshme, por rrezikshmërisht të dobëta, si Angelina Jolie, Demi Moore, Kate Middleton, Victoria Beckham dhe Keira Knightley, të cilat jo pak kanë vuajtur nga dashuria.

E ndërsa drejtorët e 19 botimeve ndërkombëtare të revistës së famshme të modës Vogue bëjnë një marrëveshje historike, duke premtuar që të mos prezantojnë më foto të modeleve shumë të reja me shenja të dukshme të shqesimeve të ushqyerjes, shoqëria civile akoma nuk ka marrë përgjigje për pyetjen që bëhet shpesh: kush apo çfarë është përgjegjës për “urinë e dashurisë” që konsumon gratë?
N.

Nessun commento:

Posta un commento