lunedì 4 marzo 2013

Autobuzi, Ferrari dhe Reaktivi



“Autobuzi, Ferrari apo Reaktivi, nuk di njeriu çfarë të zgjedhë!” Kështu po më rrëfente sot mikja ime ndërsa më shpjegonte situatën në të cilën ndodhej një mikja e saj beqare, që e lodhur nga pritja e dëshpëruar që një mashkull “Full optional” të vinte në jetën e saj, kishte vendosur që të kapte autobuzin e parë që do i kalonte aty pranë. Po pra, nuk do të refuzonte meshkujt pa ndonjë arsye të fortë siç kishte bërë deri më tani, nisur nga kritere të tilla si barku i madh, veshjet jo sqimtare, apo rroga mujore minimaliste, por do të përpiqej ta fuste zemrën në frigorifer të lidhur me një fjongo rozë dhe do të hidhej në sulm në linjën e radhës.
Dhe kishte njohur një tip të tillë, i qetë, me humor, pa bark, me kostum, beqar dhe me rrogë. Pikërisht një tip që ia vlen ta njohësh, të rezikosh, të dalësh në takim me të, për kafe fillimisht, pastaj edhe ndonjë darkë, ndonjë fundjavë të pafajshme e gjërat mund edhe të merrnin rrugë të mirë. Dhe jo se i kishte rënë në kokë për të, thjesht po i bënte fizkulturë trurit, që ta shihte me një sy të mirë dhe më së fundmi mund të lindte diçka. 
Deri këtu duket në rregull derisa gjërat filluan të bëhen disi të lodhshme. “As më ngroh e as më ftoh, shpjegon mikja e mikes. Ka marrë autobuzin biri i botës, qetë – qetë, ngadalë ngadalë. Nuk kemi asgjë dhe habitem edhe vetë pse vazhdojmë të dalim, nuk ka kimi mes nesh, por autobuzit nuk i zbresim”. 
E ndërsa priste që autobuzi të shtonte shpejtësinë duke ndryshuar marshet që në fakt nuk ndryshonin fare, diku në një lokal nate, kjo mikja e mikes njeh një djalë bombë, takim sysh, andrenalinë në maksimum, prezantim spontan. Një beqar “full optional”! Se kush është, çfarë bën dhe çfarë tip mashkulli është, nuk është ndonjë problem ta mësosh, se gjithmonë do të gjendet një mik a i njohur që të japë informacionet e sakta për të. “O bobo, thotë mikja e mikes, unë pres atubobuzin, tjetri kaloi me Ferrari”. “Nuk di ç’të bëj! Autobuzi vonon, por të çon diku, kurse Ferrari ta heq trurin, por edhe mund të plasësh kokën nga gjithë ajo shpejtësi. Si tia shpjegoj këtij të Autobuzit që mund të kalojë edhe Ferrari?!
Dhe ndërkohë prap takim me Autobuzin, biseda të amullta, batuta pa joshje, deri diku të mërzitshme, kur ja ku vjen prap fundjava. Fraaaaaap kalon “Ferrari”, i lakmuar dhe i rrezikshëm njëkohësisht, sfidues dhe i gatshëm për rrezikun ku mund të përplasësh edhe kokën.
E gjithë kjo histori mbase nuk do të ishte e plotë po të mos tregoja se një mashkull akoma edhe më i shpejtë përshkoi orbitën e mikes së mikes të zënë si në grackë. “Sa bëja unë hesapet se cili ia vlen, më kaloi një Reaktiv që ç’tju them. Reaktivi në etiketimin e saj nënkupton extra-extra-full-optional, që vetëm Hirushes mund t’i ndodhë. I Bukur, super inteligjent, beqar, klas, shije, edukatë, pasuri, fëmijë i vetëm, rang social….., eh se harrova, vilë me pishinë për të cilën unë entuziaste jam vënë në rradhë ta frekuentoj, kur të shkojmë për vizitë tek mikja e mikes sime, e cila atëherë me siguri do të jetë gruaja e tij….(!) Por Reaktivi si reaktiv si është, ka një të keqe jo të vogël, në fakt të vetmen të keqe që mund të bëjë dëm: Lëviz shumë shpesh nga një vend në tjetrin dhe tymi që lëshojnë motorrët e tij, e zëvëndësojnë sms e panumërta që nuk ia sjell as Autobuzi dhe as Ferrari! 
Shkurt kjo mikja e jonë e përbashkët nuk di në ç’start të vendoset!

Nessun commento:

Posta un commento