giovedì 21 marzo 2013

"Mos e shiko xhaxhin karshi!"






 “Mos ia jepni vajzen askujt pervec meje dhe tim shoqi”, porosita edukatoren në kopësht edhe sot në mëngjes ndërsa ajo pohonte me kokë “E di, e di”….Që prej dites së dielë kjo frazë është shndërruar në refrenin tim, por besoj edhe në refrenin e të gjithë prindërve shqiptarë, pavarësisht moshes se fëmijëve të tyre.
Shfaqja e një pedofili në jetën e një lagjeje e të krejt qytetit, i ngjan atyre ngjarjeve të idhta e të neveritshme, të frikshme e të përbindshme, që prish gjumin e prindërve dhe besimin e fëmijëve. “Mos u përziej me të panjohur”, “Mos ndihmo komshiun kur ka nevojë”, “Mos merr karamele nga gruaja karshi!”, “Mos ia jep faqen kamarierit të lokalit!”. Frika për jetën e fëmijëve, po kthehet në përmbysësin e vlerave morale që në fakt duhej të edukoheshin fëmijët tanë: “Ndihmo njerëzit kur kanë nevojë!”, “Buzëqesh me mirësi!”, “Përqafoje këtë xhaxhin se të ka xhan!”.
Pedofili i frikshëm i shfaqur në Tiranë, më bëri të shqyrtoj faktin nëse ndodhin raste të tilla në botë, dhe përgjigja është se ka plot. Por në ndryshim nga vendi ynë ku fajtorët dënohen me nga 4 vite burg, atje dënohen për gjithë jetën dhe kalben burgjeve deri në vdekje. E në rast se gjykata është zemërlëshuar dhe nuk jep dënim maksimal, është opinion që ngrihet e proteston, e thërret, e lobon për të ndryshuar atë që mund të ndryshohet dhe për të përmirësuar atë që mund të përmirësohet e për të dënuar aq sa duhet, atë që duhet dënuar.
E shumta e protestës së zhvilluar dje në Tiranë nga shoqëria civile në mbrojtje të fëmijëve, ishin rreth 50 vetë, gazetarë dhe intelektualë, që tubonin para Presidencës.
Si asnjëherë këto ditë media ka qenë e bombarduar me lajme dhe komente rreth ngjarjes së rëndë dhe fenomenit. Dhe në këtë vorbull të përbindshme një e përditshme shqiptare publikon deri detajet e deponimit në Prokurori të manjakut, duke shkelur e nëpërkmëbur liritë personale të një personi të mitur.

Nessun commento:

Posta un commento