giovedì 18 aprile 2013

Vizitë në “kullën” e Lasgushit



Shtepia ku ka jetuar poeti Lasgush Poradeci, Pogradec

Kur pashë këtë shtëpinë, që kam fotografuar të cilën edhe ju po shihni, mbeta pak e habitur dhe e tradhëtuar. Sepse nuk përkonte kërkund me atë që kisha ngritur në mendjen time. Me atë që zysha ime e letërsisë në kohën e gjimnazit na e kishte sjellë si një copëz ëndrre, të paarritshme, të magjishme, të mistershme njëkohësisht. Kështu na e përshkruante ajo shtëpinë e Lasgush Poradecit në orën e letërsisë, ndërsa përshkrimi vijonte me portretin fizik të plakut vjershëtor, me kapotën, bastunin dhe qenin e tij besnik, teksa shëtiste ngeshëm në zallishte. Na bëhej se dëgjonim bastunin e tij në korridorin e shkollës, tak-tak, e nuk ngelej tjetër, veç të hapej dera dhe të shfaqej ai….
Kaq ishte rrëfimi për të gjithë klasën, ndërsa për mua, si nxënësen e saj të preferuar, rrëfimi plotësohej me përshkrimin e dhomës së tij të punës, në papafingo, ku gjendej mbretëria e tij e librave dhe që zysha ime, kishte pasur fatin ta vizitonte disa herë, gjatë kohës kur ajo jepte mësim në një shkollë të Pogradecit dhe njëkohësisht kishte krijuar një miqësi dhe simpati të ndërsjelltë me Lasgushin.
Vetëm 2-3 vjet më vonë, kur lexova Kadarenë me “Ftesë në Studio”, mësova se mes dorëshkrimeve të Lasgushit, gjendej edhe një novelë e pabotuar, e vetmja prozë e poetit, me titull “Vizitat e zonjshës Ana X në kullën time”.
Menjëherë pas kësaj, zysh Anën, të cilën nuk e takoja më, nisa ta mendoj çdo ditë e më tepër e të risillja në mendje të gjitha deatjet që ajo rrëfente për Lasgushin, ndonëse si nxënëse gjimnazi që isha, jo gjithmonë u jepja vlerën që duhej. “Kulla” e Lasgushit u bë edhe më e vyer ndaj doja ta shikoja patjetër. Faktikisht gjatë gjithë këtyre viteve, nuk kisha pasur asnjëherë mundësinë dhe kohën e duhur për ta gjetur shtëpinë e poetit, shtëpinë që më joshte aq shumë.
Udhëtimi i fundit në Pogradec ma dha këtë mundësi. Me tim shoq i vumë vetes detyrë se do ta gjenim patjetër.
Gjetja e shtëpisë në fakt ishte një aventurë më vete. Mendoja se në Pogradecin e vogël do ta gjeja sa hap e mbyll sytë, por nuk ishte e thënë. Dikush na orientonte për këtu, dikush për atje, dikush në atë rrugë e dikush tek rruga tjetër. Dy të rinj as nuk e dinin fare, madje pyetën për Lasgushin “Kush është ky?”, ndërsa një zotëri i vërtetë, pronari i një librarie të vogël, na adresoi saktë, duke shtuar “Shkoni, shkoni, por nuk keni çfarë të shihni! Pronari i ri e ka ndryshuar totalisht konceptin e shtëpisë. Katin e parë e ka veshur me ca pllaka të bardha…nuk di ç’të them, do e shihni vetë, por ajo nuk është më shtëpia e Lasgushit!”. “Pse, shtëpia nuk trashëgohet nga njerëzit e Lasgushit”, e pyes unë. “Jo, na thotë, vajzat e tij e shitën për një televizor. Të kishim kohë do flisnim më gjatë, por e shoh që ju po nxitoni. Kalofshi mirë në Pogradec”. Zotëria u largua dhe në sytë e tij shihej trishtimi.
Kjo që po shihni në foto, është pikërisht shtëpia për të cilën po ju flas. Shtëpia që i përket poetit lirik më të madh shqiptar. Një shtëpi e transformuar, me oborrin e copëtuar nga rrethimet e pronarëve që e kanë blerë, me rrethimin dhe derën prej hekuri te bardhë, me ferrat sa një këmbë njeriu në anën tjetër….Ndjeva shumë keqardhje! Ta dinte Lasgushi si është katandisur “kulla e tij”!!!
 Nuk fajësoj askënd, aq më tepër të bijat e poetit që kanë shitur pronën e trashëguar nga i ati, rrethanat, arsyet ekonomike, janë shumë gjëra në mes, por a mund të ishte bërë diçka që ajo shtëpi të ruhej ashtu siç ishte? E pse jo, a mund të shndërrohej në muze? Scrivania, minderi, karriga, raftet e libra dhe koltrinat e bardha të perdeve, oborri me lulet siç ka qenë??? Sa njerëz të dashuruar pas poetit do të kishin vrapuar për ta parë? Sikundër unë! Pse jo, Pogradeci do të kishte edhe një tjetër pikë interesante për të ndarë me turistët.  

Nessun commento:

Posta un commento