Pasi
gjeta lajmin në web, sipas të cilit Anne-Marie Slaughter, ish Drejtore e
Politikave të Planifikimit në Departamentin amerikan të Shtetit, dha dorëheqjen
nga posti i saj si këshilltare potente e Obamës, për t’i ardhur në ndihmë
djalit adoleshent të ndodhur në vështirësi, gjithçka brenda meje u bë më e
qartë. Tiganët e mi morën sërish një kuptim.
“Një vendim, i vështirë”, rrëfente ish zyrtarja e lartë në
intervistën e saj me titull “Sepse gratë nuk mund ti kenë të gjitha”, botuar në
revistën “The Atlantic” të Bostonit. Pas këtij artikulli, pyetja tek unë erdhi
krejt e motivuar: A mundet që gratë ti kenë të gjitha???
Le të marr veten time. Kam një shkollim
të mirë, punë të mirë, familje të mirë, por vë re se bota ime intelektuale
përditë e më tepër shtegton larg meje, dhe unë që i përkushtohem çdo ditë
gjërave utilitare të familjes sime. Krejt papritmas e gjej veten të pushtuar në
web, në faqe që i kushtohen pedagogjisë dhe psikologjisë së fëmijës, në receta
kuzhinash pa fund, apo modele arredimi të tipit “Fai da te”.
Familja apo karriera? Këtë pyetje gratë
ia kanë bërë vetes shumë herë dhe zgjedhjet që kanë bërë, kanë qenë edhe
përgjigjet e tyre. Për të disatën herë ia bëj vetes këtë pyetje.
Ja mikja ime, e pamartuar, me një
karrierë shumë të mirë dhe me kërkesa të larta tek vetja. Deri tani i ka ecur
shumë mirë me punën, jo edhe aq mirë me meshkujt dhe si rrjedhojë akoma nuk ka
krijuar familjen e saj. Por pas pushimeve të kësaj vere e gjeta me mendje
tjetër: “Boll kam sakrifikuar për karrierën, më tha, dua të sistemohem. S’më
intereson fare të bëj karrierë, dua veç një punë dhe një burrë”. Pak a shumë të
njëjtën gjë, por të formuluar me një sintaksë tjetër e bëri edhe kushërira ime,
17 vjeçare. “Karriera, e kujt i duhet???? Një punë të qetë, në të ardhmen një
burrë të mirë dhe të jetoj jetën pa stres”. E habitshme të mendosh se si
po ndryshojnë prioritetet nga brezi në brez. Në brezin tim, gjatë viteve të
shkollës, e shumë kohë më pas, karriera ishte ambicia e të gjitha mikeshave të
mia, përfshirë këtu edhe mua. Studim rigoroz në shkollë, luftë më tej,
sfilitje, lodhje, angazim në emër të karrierës.
Pëpara disa netësh pashë për të disatën herë tek Digi Autor një
film me Julia Roberts, “Mona Lisa Smile” (Buzëqeshja e Mona Lizës), ku ajo
interpreton rolin e mësueses në një shkollë prestigjoze vajzash në Amerikë, ku
qëllimi kryesor mbetej akoma martesa. Julia Roberts, mësuesja e re e historisë
së artit, arriti tu hapë atyre mendjen dhe të ndikonte që këta vajza të shihnin
më larg në jetën e tyre. Veç martesës, kishte edhe studim, univeristet,
karrierë….. Ishte Amerika e viteve 1950.
Filmi është emocionues, emancipues dhe polemizues njëkohësisht.
Një polemikë që e bëj edhe me veten time. Frymëzuese përpjekja e Roberts për
pavarësi dhe karrierë tek femrat. Sidomos një moment kur u thotë nxënesve të
saj: “Ju të gjitha e keni mendjen tek martesa…Atëherë përse ju duhet Da Vinçi,
apo që ta sodisni pikturat ndërsa grini në kuzhinë qepët!” Ky është pak a shumë
perifrazimi. Por nga ana tjetër ndonjëherë më duket sikur ajo nuk ka pasur të
drejtë. Sepse vjen një moment dhe ti e kupton se fëmija yt apo tiganët që presin të mbushen nga ti, kanë shumë më tepër vlerë dhe rëndësi se çdo promovim
profesional apo rritje në detyrë.
Kohë më parë kam qenë ndër mbështetëset e përpjekjeve femërore
për të ecur në karrierë. Në fakt jam për pavarësinë ekonomike dhe sociale të
femrës, por më duket thujase e pamundur që të shkëlqej edhe në punë, edhe në
shtëpi, edhe më shoqërinë, edhe me look, edhe me tiganët e mi…
Për gratë që “Can have it all”, mund t’i kenë të gjitha, mendimi
feminist ka debatuar gjatë dhjetëra vjeçarëve. Një gjysëm gënjeshtër por edhe
një ëndërr referuese. Nuk është e mundur që të jemi prindër të shkëlqyer dhe
njëkohësisht të kemi suksese planetare, është e pamundur qëtë përputhim nevojat
e punës me ato të familjes. Të paktën jo më për një kohë të gjatë dhe pa ndihmën
e partnerit apo kompromosit me vendin e punës.
Ehhhhh, sa e vertet. Shpesh kompleksohem me veten kur shoh grate qe dalin ne televizor e japin mend per gjithcka, dhe them lum si keto qe bejne karriere. Por ta mendosh ndryshe ato duhet te thone, ah sikur.....Varet nga kendveshtrimi, pikenisja dhe destinacioni mendoj une
RispondiElimina