Sot, për Shën Valentin
Zyra ku unë punoj përbëhet nga 4-5 vetë, që shumicën e kohës e kalojnë me biseda nga më të ndryshmet. Herë- herë, debatojmë kaq fort, sa dëgjohemi deri në fund të korridorit.
![]() |
Rene Magritte, "The Lovers", 1928 |
Përgjithësisht shkojmë mirë njëri me tjetrin. Por për shumë argumente kemi kendvështrime të ndryshme dhe, duke qenë se tek secili prej nesh spikat tipari i protagonizmit, asnjëri nga ne, nuk heq dorë kollaj nga e vetja, por i shkon deri në fund. Sidomos unë(!)
Meqënëse sot ishte 14 shkurti, edhe temën e kishim të gatshme. Biseda nisi tek lulet, dhuratat, dashuria dhe shumë shpejt mbërriti tek tradhëtia. Dhe meqë ra fjala, sot mësova një thashethem, që miqtë e punës ma serviren si fakt krejt të vërtetë, ndërsa mua më tronditi sa më la pa fjalë: Një femër e njohur e ekranit, e martuar dhe me një fëmijë, ishte dashnorja e deklaruar e një funksionari, edhe ky i martuar dhe me fëmijë. Paradoksi është se e dinin familjet reciproke dhe, aq më tepër, fëmija i kësaj zonje, në fakt ishte fëmija i saj me funksionarin dhe jo me bashkëshortin e urtë si kone.
“Sa prapa bote qenke”, më thanë duke u tallur miqtë e mi. “Sa raste të tilla njohim?! Plot”.
Dhe vërtet raste të tilla qarkullojnë në Tiranë dhe njerëzit i kapërdijnë përditë bashke me kafenë e mëngjesit, ndërsa lexojnë gazetat ku serviren lajmet e politikës së papërgjegjshme dhe gossip pseudovipash pa brekë. “Mos u bëj më katolike se Papa”, vijojnë miqtë e mi. “Nuk ndodh gjithmonë për përfitime…. Njeriu mund të krijojë një lidhje paralele, rëndësi ka që ti të mos ndihesh e braktisur. Punë e madhe se burri ka dashnore. A vjen çdo natë në shtëpi? A sjell lekë mjaftueshëm? A paguan qiranë e shtëpisë dhe shkollën e fëmijëve? Për mua është në rregull….”
Ky arsyetim ma heq menjëherë trurin. Se unë s’mund ta pranoj që njerëzit ta legjitimojnë tradhëtinë.
Gjej momentin dhe shpraz gjithë turbullirën që më ngjall ky diskutim kundravers: “Unë, u them, e pranoj se njeriu, i martuar ose në një lidhje, mund të ndodh që bie në dashuri, të dashurohet fatalisht, të mos mendojë më për asgjë dhe të jepet i i tëri pas këtij pasioni të ri….Por, duhet të ketë kurajon, t’i thotë partnerit të tradhëtuar se këtu mori fund. Unë nuk mund të ndërtoj një jetë të gënjeshtërt dhe të pranoj që im shoq ka një raport stabël me dikë tjetër… Nuk mund të pranoj as të kundërtën, pra, që unë të kem një raport të tillë dhe të mashtroj në çdo moment tim shoq”.
“Askush nuk vepron siç mendon ti”, më thonë ata. “Se njeriu mund të takojë shumë dashuri gjatë jetës, por nuk ka pse ta prishë familjen”.
“Po cilën familje? Familjen e gënjeshtërt? Për mua këtu nuk ka moral”.
“Morali??????E kujt i duhet se me kë ikën burri im? Rëndësi ka të më lejë mua rehat……”
Në këtë pikë të diskutimit, unë ngel pa fjalë, pa fjalë dhe pa fjalë….Jo se nuk kam argument, por duhet super energji për të kundërshtuar principin e rremë, mbi të cilin funksion shoqëria jonë e kalbur.
Nga dritarja shoh njerëz pa fund me trëndafila në duar. Ora është rreth 10 e paradites dhe të duket sikur janë zhgulur lulet e të gjitha serave.
Idealiste më shumë se duhet?????E kam për veten time…Nuk e di. Mbase edhe jam. Gjithsesi deri tani nuk kam pasur rastin ta provoj veten. Nëse i përkas turmës, apo thjesht vetvetes.
Nessun commento:
Posta un commento